Është e pamundur të thuhet sa kohë duhet për t’u mbetur shtatzënë, ngase kjo ndryshon për secilën grua.

Shumë faktorë mund të ndikojnë në gjasat e një çifti për shtatzëni, siç jan:

  • Mosha juaj

  • Shëndeti juaj i përgjithshëm

  • Shëndeti juaj riprodhues

  • Shpeshtësia e marrëdhënies seksuale

Disa gra mbesin shtatzënë shpejt, kurse disa të tjerave u duhet kohë më e gjatë. Kjo mund të jetë zhgënjyese, mirëpo është normale.

Fertiliteti

Shumica e çifteve (rreth 84 nga 100) do të përjetojnë shtatzëni brenda një viti nëse kanë marrëdhënie të rregullt seksuale dhe nuk përdorin kontracepsion.

Por, me kalimin e moshës gratë bëhen më pak fertile. Studimi ynë ka treguar rezultatin e mëposhtëm për çiftet që kanë marrëdhënie të rregullt dhe të pambrojtur seksuale:

  • Mosha 19-26 vjeçare – 92% do të mbesin shtatzënë pas 1 viti dhe 98% pas 2 vitesh

  • Mosha 35-39 vjeçare – 82% do të mbesin shtatzënë pas 1 viti dhe 90% pas 2 vitesh

Efekti i moshës në fertilitetin e burrave është më pak i qartë.

Çka nënkupton “marrëdhënia e rregullt seksuale”?

Marrëdhënia e rregullt seksuale nënkupton kontaktin seksual çdo të dytën apo të tretën ditë brenda një muaji.

Disa çifte mund të provojnë të kenë kontakt seksual në kohën e ovulacionit (lirimit të vezës) të gruas.

Por, udhëzimi i Institutit Nacional të Shëndetit dhe të Kujdesit (NICE) këshillon se kjo gjë mund të jetë stresuese, prandaj nuk rekomandohet.

Problemet e fertilitetit

Problemet e fertilitetit e prekin një në shtatë çifte në Mbretërinë e Bashkuar.

Shumë faktorë mund të shkaktojnë probleme të fertilitetit, përfshirë:

  • Çrregullimet hormonale (endokrinologjike), siç janë sindroma policistike e vezoreve (PCOS) dhe problemet me gjëndrat tiroide apo hipofizare

  • Çrregullimet fizike, siç janë obeziteti, anoreksia nervoze apo stërvitjet e tepruara

  • Çrregullimet e sistemit riprodhues, siç janë infeksionet, mbyllja apo bllokimi i gypave të mitrës, endometrioza apo numri i vogël i spermatozoideve.

Disa prej këtyre faktorëve e prekin ose gruan, ose burrin. Në rreth 40% të çifteve jofertile, ekziston problemi i njëkohshëm edhe te gruaja, edhe te burri.

Shkaku më i shpeshtë është dështimi i ovulacionit (i cili mund të shkaktohet nga shumë arsye të ndryshme) dhe çrregullimet e spermatozoideve.

Në 25% të çifteve, problemet e fertilitetit nuk mund të shpjegohen.

Lexoni më shumë informata të detajuara për shkaqet e inofertilitetit.

Kërkimi i ndihmës

Këshillohuni me gjinekologun tuaj nëse po e provoni për një deri në dy vite shtatzëninë, por nuk po keni sukses.