Mund të duket e qartë, por duhet të keni marrëdhënie të rregullt seksuale (dy apo tri herë në ditë) nëse dëshironi të bëheni baba. Marrëdhënia seksuale në kohën kur partnerja juaj ovulon (kur veza lirohet nga vezoret), do t’i shtojë gjasat për shtatzëni.

Lexoni më tepër për kohën më të mirë për të mbetur shtatzënë.

Ekzistojnë edhe disa ndryshime që mund të bëhen në stilin jetësor në mënyrë që të shtohen gjasat për t’u bërë baba.

Temperatura e spermës

Testikujt tuaj ndodhen jashtë trupit sepse temperatura e tyre duhet të jetë më e ulët në mënyrë që të prodhohen spermatozoidet e cilësisë më të mirë. Temperatura ideale për prodhimin e spermatozoideve është rreth 34.5 C, temperaturë pak më e ulët se ajo e trupit (rreth 37 C).

Nëse po provoni për shtatzëni, mund të ndihmon ndërmarrja e disa masave të thjeshta për uljen e temperaturës së testikujve. Për shembull, nëse duhet të punoni në mjedise të nxehta, bëni pushime të rregullta përjashta. Nëse qëndroni ulur për kohë të gjatë, ngrihuni nga vendi dhe lëvizni shpesh.

Veshja e brekëve të ngushta mendohet se e shton temperaturën e testikujve deri në 1 C. Edhe pse studimet tregojnë që brekët e ngushta nuk duket se ndikojnë në cilësinë e spermatozoideve, mund të vishni brekë më të gjera, siç janë boksierët, gjatë kohës kur planifikoni shtatzëni.

Duhani

Duhani mund ta ulë fertilitetin, prandaj duhet ta lini duhanin nëse dëshironi të bëheni baba.

Duhani në afërsi të fëmijës së porsalindur e rrit po ashtu ndjeshëm gjasën për sëmundjen respiratore dhe vdekjen e papritur të tyre.

Mjeku juaj familjar do të jetë në gjendje të ofrojë këshilla dhe trajtim që ta lini duhanin. Mund ta vizitoni edhe ueb faqen e NHS-së për më shumë ndihmë dhe këshilla për lënien e duhanit, apo mund ta telefononi linjën për ndihmë në 0300 123 1044 (nga e hëna në të premte 9-18, e shtunë dhe e premte 11-16)

Alkooli

Konsumimi i tepërt i alkoolit mund të ndikojë në cilësinë e spermatozoideve. Zyrtari kryesor mjekësor i Mbretërisë së Bashkuar rekomandon të mos konsumohet më tepër se 14 njësi alkool në javë, e cila sasi duhet të shpërndahet barabartë në tri ditë apo më shumë.

Një njësi alkool është ekuivalent i gjysmës së gotës së birrës. Një gotë e vogël verë (125 ml) përmban 1.5 njësi alkool.

Barnat

Disa droga rekreative dihet se e dëmtojnë cilësinë e spermatozoideve dhe e reduktojnë fertilitetin mashkullor. Këto janë:

  • Kanabisi

  • Kokaina

  • Steroidet anabolike

  • Amfetaminat

  • Opiatet siç janë heroina dhe metadoni

Duhet t’i shmangni këto përderisa jeni duke provuar për shtatzëni.

Dieta, pesha dhe stërvitjet

Konsumimi i dietës së shëndetshme dhe të ekuilibruar, si edhe pesha e shëndetshme janë thelbësore për mbajtjen në gjendje të mirë të spermatozoideve tuaja. Dieta juaj duhet të përfshijë së paku pesë racione pemësh dhe perimesh në ditë; karbohidrate siç janë buka dhe pastat; dhe mish me yndyrë të ulët, peshk dhe proteina.

Mbipesha (indeksi i masës trupore mbi 25) mund të ndikojë në cilësinë dhe sasinë e spermatozoideve tuaja.

Nëse jeni mbipeshë dhe po provoni shtatzëni, duhet të përpiqeni të humbisni peshë përmes kombinimit të ushqimit të shëndetshëm dhe të stërvitjeve të rregullta.

Stresi

Stresi mund të ndikojë në marrëdhënien tuaj. Mund ta ulë po ashtu epshin tuaj seksual (libidon) apo atë të partneres, gjë që mund ta pakësojë shpeshtësinë e marrëdhënies seksuale. Stresi mund të kufizojë edhe prodhimin e spermatozoideve. Prandaj, gjatë përpjekjes për shtatzëni, do të ndihmojnë relaksimi dhe hapat për pakësimin e stresit në jetën tuaj.