top of page

Hidrosalpinks

Hidrosalpinksi është term mjekësor për tubat uterine të cilat janë të mbushura me lëng për shkak të lëndimit apo infeksionit. 

Infertilitet > Hydrosalpinks

Hidrosalpinksi është term mjekësor për tubat uterine të cilat janë të mbushura me lëng për shkak të lëndimit apo infeksionit. Tubat uterine kanë për funksion normal që secilin muaj ta “kapin” vezën e cila lirohet nga vezoret; tubat janë vendtakimi i vezës me spermën dhe mekanizmi përmes të cilit veza e fertilizuar udhëton për në mitër. Dëmtimi i këtij shtegu të vogël dhe delikat mund ta inhibojë fekondimin dhe shtatzëninë. Hidrosalpinksi i prek zakonisht të dy tubat (edhe kur vetëm njëri tub është i prekur, ekziston dëmtim në një masë edhe te tjetri). Hidrosalpinksi (kur të dy tubat janë prekur) është forma e rëndë e dëmtimit të tubave dhe shtatzënia mund të realizohet zakonisht vetëm me Fertilizim In Vitro. Përmes IVF-së anashkalohen tubat.

 

 

Shkaqet e hidrosalpinksit

 

Hidrosalpinksi rezulton zakonisht nga infeksioni për kohë të gjatë dhe i patrajtuar i tubave uterine. Disa gjendje që mund të shkaktojnë infeksionin e tubave janë:

·       Efektet reziduale të sëmundjeve të mëparshme seksualisht të transmetueshme, siç janë klamidia apo gonorea

·       Apendiksi (zorra qorre) i rupturuar (shpërthyer) më parë

·       Krijimi i sasisë së tepërt të indit për shkak të endometriozës

 

Pezmatimi dhe procesi i shërimit që rezulton nga një infeksion i tillë i shkatërron strukturat delikate të ngjashme me gishta – fimbriat, të cilat shtrihen nga tubat uterine në drejtim të vezoreve. Fimbriat janë përgjegjëse për bartjen e vezës drejt spermës që e pret dhe bartjen e tyre së bashku për fertilizim në drejtim të mitrës. Nëse fimbriat lëndohen, ato ngjiten dhe i mbyllin kësisoj tubat. Lëngu më pas grumbullohet në tubat uterine dhe ua pamundëson atyre funksionin.

 

 

Diagnostikimi i hidrosalpinksit

 

Ekzistojnë disa mënyra të diagnostikimit të hidrosalpinksit. Meqenëse tubat uterine janë shumë të vogla, të gjitha këto metoda përdorin rreze X apo kamera për pamjen e qartë të anatomisë:

·       Ultratingulli. Në këtë procedurë, një sondë futet në vagjinë. Teknologjia e ultratingullit përdor valë zanore të frekuencës së lartë për të prodhuar pamje në kohë reale të tubave të mitrës. Tuba uterine e cila është normale është zakonisht e padukshme në ultratingull; tuba e mbushur me lëng do të paraqitet më e madhe dhe do të marrë formën e salsiçes. Ultratingulli është i shkurtër, joinvaziv dhe i padhembshëm. Përdoret për vlerësimin fillestar të vezoreve, mitrës dhe tubave uterine.

·       Histerosalpingogrami (HSG). Ky është një ekzaminim që i përdor rrezet X, gjatë të cilit një sasi e vogël e substancës së kontrastit injektohet në mitër dhe tubat uterine. Rrezet X shihen në monitor dhe zhvillohet ekzaminimi. Me shpërndarjen e substancës së kontrastit përmes mitrës, vihet në pah çfarëdo bllokimi që mund të ekzistojë. Nëse tubat uterine janë të hapura, substanca kalon përmes tubave dhe përhapet në zgavrën e barkut. Në rast të bllokimit, si në rastin e hidrosalpinksit, substanca nuk ka mundësi të kalojë përmes tubave uterine kështu që ato do të duken të fryra (në formë salsiçesh). Histerosalpingogrami realizohet në javën e dytë të ciklit menstrual (p.sh. pas ndërprerjes së ciklit menstrual, por para ovulacionit). Ekzaminimi zgjat rreth 10 minuta. Efektet anësore mund të jenë dhembja pelvike dhe ngërçet. Ibuprofeni i marrë para procedurës ndihmon në zbutjen e efekteve anësore. Shumica e grave mund t’i vazhdojnë aktivitetet ditore menjëherë.

·       Laparoskopia. Kjo është procedurë kirurgjikale e cila përdor laparoskop – një instrument të hollë dhe të ndriçuar, të pajisur me kamerë në maje. Laparoskopi futet në zgavrën e pelvikut përmes një prerjeje të vogël që bëhet në afërsi të kërthizës, duke ia mundësuar mjekut që t’i shikojë tubat uterine në monitor. Në disa raste, laparoskopia mund të përdoret për konfirmimin e diagnozës së mëhershme të hidrosalpinksit apo të sëmundjeve të tjera; por për shkak se është një procedurë kirurgjikale e cila kërkon anestezi të përgjithshme, nuk përdoret zakonisht si mjeti i parë diagnostikues.

 

 

Trajtimi i hidrosalpinksit

 

·       Riparimi. Sidomos në rastet kur hidrosalpinksi është i vogël, ky tip bllokimi mund të riparohet, duke mundësuar që shtatzënia të ndodh në mënyrë natyrore. Kjo kërkon një procedurë kirurgjikale që quhet neosalpingostomi, në të cilën laparoskopi vendoset në mënyrë kirurgjikale në bark dhe bëhet një prerje për hapjen e tubës së bllokuar uterine. Shërimi është relativisht i shpejtë dhe aktivitetet normale mund të vazhdohen brenda disa ditëve. Për shkak se shëndeti i vezores dhe cilësia e vezës bien pas moshës 35-vjeçe, kirurgjia riparuese është më e dobishme për pacientet e reja që kanë kohë shtesë për pritje. Pacientet që mbesin shtatzënë pas kirurgjisë duhet të monitorohen nga afër për shkak të mundësisë për shtatzëni ektopike. Kjo paraqet një gjendje potencialisht serioze në të cilën fetusi implantohet dhe rritet në tubën uterine në vend se kjo gjë të ndodh në mitër.

Për shkak të suksesit të ulët të rikonstruktimit kirurgjik të tubave (disa studime kanë treguar për një shkallë shtatzënie prej 10% në vitin pas neosalpingostomisë për hidrosalpinks) dhe rrezikut të shtuar për shtatzëni ektopike, shumicës së grave që kanë dëmtim domethënës të tubave u këshillohet të kalojnë drejtpërdrejt në IVF.

 

·       Fertilizimi In Vitro (IVF). Në pacientet me hidrosalpinks, tubat uterine mund të anashkalohen përmes trajtimit me IVF. Ky trajtim përfshin një kurë medikamentesh për përmirësim të fertilitetit me qëllim të prodhimit të shumë vezëve në vezore. Vezët më pas “vilen” apo hiqen nga vezoret dhe kombinohen me spermën në kushte laboratorike. Veza e sapofertilizuar bartet më pas direkt në mitrën e gruas përmes një gypi që quhet kateter.

Me qëllim të rritjes së suksesit të IVF-së dhe të shtatzënisë së shëndetshme, mund të rekomandohet heqja e plotë e pjesës së dëmtuar të tubës uterine, për shkak se në disa raste medikamentet për përmirësim të fertilitetit mund të kenë për efekt anësor grumbullimin e lëngut në tubat uterine. Lëngu i tillë i cili i mbush tubat mund të kullojë në mitër, duke paraqitur kësisoj rrezik për infeksionin pas transferit të embrionit.

​

​

Shikoni videon e bërë nga Dr. Goksu GOC.

bottom of page