Humbja e libidos (epshit seksual) është një problem i shpeshtë që mund të ndikojë shumë burra e gra në një pikë të jetës së tyre.
Ka të bëjë shpesh me çështjet e raporteve brenda çiftit, stresin apo lodhjen, por mund të jetë shenjë e një problemi mjekësor në prapavijë, siç është ulja e nivelit të hormoneve.
Epshi seksual i gjithkujt është ndryshe dhe nuk ekziston ajo që quhet libido “normale”. Por, nëse mungesa e dëshirës për seks është shqetësuese apo ndikon në marrëdhënien tuaj, është ide e mirë që të kërkoni ndihmë.
Kjo faqe shpjegon ku të kërkoni ndihmë dhe disa shkaqe të shpeshta të libidosë së ulët.
Ku të kërkohen ndihma dhe këshilla
Gjinekologu – ai mund të jetë në gjendje që të ofrojë këshilla apo t’ju referojë te specialisti për vlerësim dhe trajtim
Terapisti psikoseksual
Shërbimi i shëndetit seksual; gjejeni shërbimin për informimin dhe mbështetjen e shëndetit seksual
Relate – shërbimi për mbështetjen e çifteve i cili ka këshillim online për seksin dhe lidhjet, këshillim përmes telefonit dhe online, dhe shërbimet mbështetëse lokale, si edhe terapistët të cilën mund t’i paguani
Asociacioni i këshillimit seksual – fondacion për shëndet seksual që ka këshillim online për problemet seksuale
Përpiquni të mos ndjeheni të turpëruar për të kërkuar ndihmë. Shumë njerëz përjetojnë probleme me libidonë e tyre dhe kërkimi i ndihmës mund të jetë hapi i parë për zgjidhjen e problemit.
Shkaqet e zakonshme të libidosë së ulët
Problemet e lidhjes
Një prej gjërave të para për t’u konsideruar është nëse jeni të lumtur me lidhjen tuaj. A keni ndonjë dyshim apo brengë që mund të jetë në prapavijë të humbjes suaj të dëshirës seksuale?
Libidoja e ulët mund të jetë pasojë e:
Të qenit në një lidhje afatgjatë dhe të qenit shumë të afërt me partnerin tuaj
Humbjes së tërheqjes seksuale
Konfliktit të pazgjidhur dhe grindjeve të shpeshta
Komunikimit të dobët
Besimit të vështirësuar ndaj njëri-tjetrit
Problemeve seksuale fizike
Nëse keni probleme të vazhdueshme, gjinekologu mund të jetë në gjendje t’ju referojë bashkë me partnerin për këshillim të lidhjes apo mund të kontaktoni Relate për mbështetje dhe këshillim.
Problemet seksuale
Gjëja tjetër për t’u konsideruar është nëse keni problem fizik i cili e vështirëson seksin apo e bën atë të paplotë.
Për shembull, epshi i ulët seksual mund të jetë pasojë e:
Problemeve të ejakulimit
Disfunksionit seksual
Tharjes vagjinale
Seksit të dhembshëm
Paaftësisë për arritjen e orgazmës
Ngushtimit të pavullnetshëm të vagjinës (vagjinizmi)
Stresi, ankthi dhe rraskapitja
Stresi, ankthi dhe rraskapitja mund të jenë konsumuese dhe të kenë ndikim të madh në lumturinë tuaj, përfshirë epshin seksual.
Nëse ndiheni vazhdimisht të lodhur, të stresuar apo anksioz, duhet të bëni ndërrim në stilin tuaj jetësor apo të flisni me gjinekologun për këshilla.
Informatat dhe këshillat e mëposhtme mund të jenë të dobishme:
Pse jam i/e lodhur tërë kohën?
Kërkimi i ndihmës për ankthin, frikën apo panikun
Këshilla për vetëndihmë ndaj lodhjes
Dhjetë mënyra për pakësimin e stresit
Ushtrimet respiratore për stresin
Depresioni
Depresioni është ndryshme nga ndjenja thjesht e palumturisë, e mjerimit apo e lodhjes kohëshkurtër. Është sëmundje serioze e cila ndërvepron me të gjitha aspektet e jetës suaj, përfshirë jetën seksuale.
Shtesë libidosë së ulët, shenjat e depresionit mund të jenë:
Ndjenja e pikëllimit të thellë që nuk largohet dot
Ndjenja e mungesës së shpresës
Humbja e interesimit apo e kënaqësisë në gjërat që i keni bërë dikur
Është me rëndësi ta vizitoni gjinekologun nëse mendoni se jeni në depresion. Ata mund t’ju këshillojnë për trajtimin e depresionit, siç është të biseduarit, terapitë dhe antidepresantët.
Libidoja e ulët mund të jetë edhe efekt anësor i antidepresantëve. Flisni me gjinekologun nëse këto janë duke shkaktuar probleme.
Plakja dhe menopauza
Epshi i pakësuar seksuale nuk është pjesë e pashmangshme e plakjes, por është diçka të cilën shumë burra e gra e ndjejnë sa më shumë që plaken.
Mund të ketë shumë arsye për këtë, përfshirë:
Nivelin e ulët të hormoneve seksuale (estrogjenit dhe testosteronit) para, gjatë dhe pas menopauzës te gratë
Nivelin e ulët të hormoneve seksuale (testosteronit) në burra
Problemet shëndetësore të ndërlidhur me moshën, përfshirë problemet me lëvizjen
Efektet anësore të barnave
Flisni me gjinekologun nëse jeni të brengosur për këtë. Mund t’ju pyesin për simptomat e tjera që i keni dhe mund të kërkojnë teste të gjakut për nivelin e hormoneve tuaja.
Ekzistojnë trajtime për rritjen e nivelit të hormoneve nëse niveli i ulët i tyre shkakton probleme, siç është terapia e zëvendësimit hormonal me apo pa testosteron për gra të cilat kalojnë nëpër periudhën e menopauzës.
Shtatzënia, lindja dhe lehonia
Humbja e interesimit për seks është e shpeshtë gjatë shtatzënisë, pas lindjes dhe gjatë lehonisë.
Kjo mund të jetë për shkak të:
Ndryshimeve në nivelin e hormoneve tuaja
Ndryshimeve në trupin tuaj dhe pamjes së trupit tuaj
Rraskapitjes
Seksit të dhembshëm shkaktuar nga prerja apo gërvishtja e cila ka ndodhur gjatë lindjes
Prioriteteve të ndryshuara, siç janë fokusimi në kujdesin ndaj fëmijës
Këto çështje mund të zgjidhen me kalimin e kohës. Flisni me gjinekologun nëse epshi seksuale nuk kthehet dhe paraqet problem për juve.
Problemet shëndetësore ekzistuese
Çfarëdo gjendje mjekësore afatgjatë mund të ndikojë në epshin tuaj seksual. Kjo mund të jetë rezultat i tensionimit fizik dhe emocional të cilët mund t’i shkaktojnë këto gjendje apo mund të jetë efekt anësor i terapisë.
Për shembull, libidoja e ulët mund të jetë e ndërlidhur me:
Sëmundjet e zemrës
Diabetin
Tiroiden që funksionon dobët – kur tiroidja nuk prodhon hormone sa duhet
Kancerin
Kirurgjinë e madhe – për shembull, kirurgjinë për largimin e vezoreve dhe të mitrës
Flisni me gjinekologun apo specialistin nëse mendoni që libidoja e ulët mund të jetë rezultat i gjendjes ekzistuese shëndetësore apo terapisë.
Barnat dhe kontracepsioni
Barnat e caktuara mund ta pakësojnë ndonjëherë libidonë, përfshirë:
Barnat për tensionin e lartë të gjakut
Shumë lloje të antidepresantëve
Barnat për epilepsi, siç është topiramati
Barnat që quhen antipsikotikë, siç është haloperidoli
Barnat për trajtimin e zmadhimit të prostatës, siç është finasteridi
Kontracepsioni hormonal, siç është tableta, flasteri apo unaza e kombinuar hormonale, tableta me vetëm progesteron, implanti kontraceptiv dhe injeksioni kontraceptiv.
Lexojeni prospektin e barit tuaj për të parë nëse libidoja e ulët është efekti i mundshëm anësor.
Vizitojeni gjinekologun nëse mendoni se bari po ndikon në epshin tuaj seksual. Ka mundësi të kalohet në një bar tjetër.
Alkooli dhe drogat
Konsumimi i sasisë së tepërt të alkoolit për një kohë të gjatë mund ta ulë epshin seksual, prandaj është ide e mirë të mos konsumohet në sasi të tepërta.