Është e pamundur të thuhet sa kohë duhet për t’u mbetur shtatzënë, ngase kjo ndryshon për secilën grua.
Shumë faktorë mund të ndikojnë në gjasat e një çifti për shtatzëni, siç jan:
Mosha juaj
Shëndeti juaj i përgjithshëm
Shëndeti juaj riprodhues
Shpeshtësia e marrëdhënies seksuale
Disa gra mbesin shtatzënë shpejt, kurse disa të tjerave u duhet kohë më e gjatë. Kjo mund të jetë zhgënjyese, mirëpo është normale.
Fertiliteti
Shumica e çifteve (rreth 84 nga 100) do të përjetojnë shtatzëni brenda një viti nëse kanë marrëdhënie të rregullt seksuale dhe nuk përdorin kontracepsion.
Por, me kalimin e moshës gratë bëhen më pak fertile. Studimi ynë ka treguar rezultatin e mëposhtëm për çiftet që kanë marrëdhënie të rregullt dhe të pambrojtur seksuale:
Mosha 19-26 vjeçare – 92% do të mbesin shtatzënë pas 1 viti dhe 98% pas 2 vitesh
Mosha 35-39 vjeçare – 82% do të mbesin shtatzënë pas 1 viti dhe 90% pas 2 vitesh
Efekti i moshës në fertilitetin e burrave është më pak i qartë.
Çka nënkupton “marrëdhënia e rregullt seksuale”?
Marrëdhënia e rregullt seksuale nënkupton kontaktin seksual çdo të dytën apo të tretën ditë brenda një muaji.
Disa çifte mund të provojnë të kenë kontakt seksual në kohën e ovulacionit (lirimit të vezës) të gruas.
Por, udhëzimi i Institutit Nacional të Shëndetit dhe të Kujdesit (NICE) këshillon se kjo gjë mund të jetë stresuese, prandaj nuk rekomandohet.
Problemet e fertilitetit
Problemet e fertilitetit e prekin një në shtatë çifte në Mbretërinë e Bashkuar.
Shumë faktorë mund të shkaktojnë probleme të fertilitetit, përfshirë:
Çrregullimet hormonale (endokrinologjike), siç janë sindroma policistike e vezoreve (PCOS) dhe problemet me gjëndrat tiroide apo hipofizare
Çrregullimet fizike, siç janë obeziteti, anoreksia nervoze apo stërvitjet e tepruara
Çrregullimet e sistemit riprodhues, siç janë infeksionet, mbyllja apo bllokimi i gypave të mitrës, endometrioza apo numri i vogël i spermatozoideve.
Disa prej këtyre faktorëve e prekin ose gruan, ose burrin. Në rreth 40% të çifteve jofertile, ekziston problemi i njëkohshëm edhe te gruaja, edhe te burri.
Shkaku më i shpeshtë është dështimi i ovulacionit (i cili mund të shkaktohet nga shumë arsye të ndryshme) dhe çrregullimet e spermatozoideve.
Në 25% të çifteve, problemet e fertilitetit nuk mund të shpjegohen.
Lexoni më shumë informata të detajuara për shkaqet e inofertilitetit.
Kërkimi i ndihmës
Këshillohuni me gjinekologun tuaj nëse po e provoni për një deri në dy vite shtatzëninë, por nuk po keni sukses.