Specialistët e fertilitetit në Klinikën Sanus kryejnë diagnostikimin dhe testimin e infertilitetit mashkullor dhe femëror. Në kuptimin e gjerë, diagnostikimi i fertilitetit fillon me përpjekjen për të përcaktuar ndikimin e faktorëve të ndryshëm në meshkuj dhe femra përmes procedurave të ndryshme testuese dhe diagnostikuese:

Diagnostikimi dhe Testimi i Fertilitetit Femëror

Mosha. Është i mirënjohur ndikimi i moshës mbi riprodhimin femëror. Në përgjithësi, mosha e gruas është njëri prej përcaktuesve dhe parashikuesve kryesor nëse ajo do të jetë në gjendje të mbes shtatzënë me vezët e saj. Pas moshës 43-vjeçe, gjasa për të ndodhur kjo gjë pakësohet dukshëm (me këtë rritet edhe përqindja e aborteve dhe i jonormaliteteve kromozomale) sa që opsioni me gjasë më i mirë mbetet dhurimi i vezëve. Pas rreth moshës 35-vjeçe, me rënien më të mprehtë të fertilitetit natyror, shumë gra përjetojnë atë që në e quajmë “sub-fertilitet në lidhje me moshën”. Kjo nënkupton që në këto raste nuk kemi probleme specifike të fertilitetit, por se problemi buron nga plakja e organizmit dhe nga rënia e aftësisë së vezës për ta mbajtur shtatzëninë.

Ovulacioni. Nuk ka fekondim pa ovulacion. Ciklet e rregullta mujore të menstruacionit nënkuptojnë ovulacionin. Sindroma Policistike e Vezoreve, Anovulacioni Hipotalamik, Pamjaftueshmëria e Fazës Luteale dhe problemet me hormonet e tjera, siç janë hormonet tiroide apo prolaktina, mund të interferojnë me ovulacionin. Shumë gra mund të kenë ovulacione në 40-at apo madje 50-at e tyre, por cilësia e vezëve të ovuluara është kritike. Gratë e reja që nuk kanë ovulacion të rregullt mund të nxiten (indukohen) për ovulacion përmes ilaçeve për fertilitet të cilat mund të jepen me gojë apo në formë injeksionesh.

Rezerva e Vezoreve. Ky është koncepti që ka të bëjë me potencialin riprodhues të gruas dhe me gjasat që gruaja të jetë në gjendje të ketë shtatzëni të shëndetshme dhe të frytshme me vezët e veta. Rezervën e vezoreve e testojmë me teste të gjakut (niveli i FSH dhe Estradiolit në ditën 2-3 të ciklit dhe niveli i hormonit anti-Mullerian), si edhe me ultratingull përmes të cilit shihen vezoret.

Gjendja e Tubave. Infeksioni, vragat post-kirurgjikale apo sëmundja e quajtur endometriozë mund të shkaktojnë bllokimin, lakimin apo gjarpërimin formës së tubave. Këto e pengojnë bashkimin e vezës me spermën dhe mund të çojnë drejt shtatzënisë tubale (ektopike). Testi i quajtur HSG (histerosalpingogrami) është mënyra e vetme jokirurgjikale për vlerësimin e kalueshmërisë së tubave terine – kjo është mënyra për të përcaktuar nëse tubat janë të hapura apo jo.

Mitra dhe Shtresa e Endometriumit. Fibroidet, polipet dhe vragat brenda mitrës nga ndërhyrjet e mëhershme janë disa prej faktorëve që mund ta dëmtojnë shtresën e brendshme të mitrës dhe të shkaktojnë pamundësinë e ngjitjes së embrionit për të. Ultratingulli i thjeshtë i bërë para ovulacionit mjafton në shumicën e rasteve për të diagnostikuar çdo lloj problemi. Megjithatë, në rastet e paqarta, mund të bëhen sonohisterogrami (ultratingulli gjatë të cilit lëngu fiziologjik steril injektohet brenda mitrës) dhe histeroskopia (ndërhyrja kirurgjike për ta parë brendinë e mitrës). Shumica e këtyre problemeve mund të korrigjohen kirurgjikisht.

Gjenetika. Disa pacientë kanë sëmundje gjenetike që mund të shkaktojnë infertilitet, siç është sindroma X fragjile. Disa gra (dhe meshkuj) mund të kenë riaranzhime të tilla brenda kromozomeve të tyre sa që vezët dhe sperma e partnerit mund të përmbajnë kromozome jonormale dhe kjo gjë mund të çojë drejt aborteve të përsëritura dhe infertilitetit. Këto probleme janë të rralla, por ekzistojnë.

Endometrioza. Kjo është njëra prej sëmundjeve të moshës riprodhuese të grave e cila është fuqishëm e ndërlidhur me infertilitetin. Kirurgjia është mënyra e vetme për diagnozën definitive. Mirëpo, kirurgjia ndihmon shumë pak në përmirësimin e gjasës për shtatzëni edhe nëse endometrioza diagnostikohet dhe trajtohet në mënyrë kirurgjikale. Kjo ndodh për shkak se sëmundja ka përqindje të lartë të rishfaqjes. Për këtë arsye, nuk bëhen shpesh intervenime kirurgjikale në kërkim të endometriozës. Prandaj, shumë gra që janë të diagnostikuara me “infertilitet të pashpjegueshëm” mund të jenë duke vuajtur nga endometrioza, mirëpo ajo nuk ndryshon planin e trajtimit të infertilitetit.

Diagnostikimi dhe Testimi i Fertilitetit Mashkullor

Numri i spermatozoideve. Numri bazik i spermatozoideve në mostrën e cila merret me masturbim dhe ekzaminim të spermës 2-5 ditë pas abstinencës, është njëri prej kritereve kryesore për diagnostikim dhe duhet të bëhet edhe në ato raste kur dihet tanimë një faktor femëror për infertilitet. Deri në 40% të çifteve që kanë probleme me fertilitetin kanë probleme që i prekin të dy partnerët.

Funksioni i spermatozoideve. Aftësia e spermatozoidit për të depërtuar në vezë është një çështje e rëndësishme. Numri i ulët i spermatozoideve dhe lëvizshmëria e ulët e tyre në Analizën e Spermës mund të përcaktojnë shpesh nëse spermatozoidet e pranishme janë të mjaftueshme në numër dhe aktivitet për të arritur deri te veza dhe më pas për t’u ngjitur me të dhe depërtuar brenda saj. Përzierja e vezëve dhe e spermatozoideve në enë gjatë realizimit të Fertilizimit In Vitro është mënyra e vetme për përcaktimin e funksionimit normal të spermatozoideve. Në raste të rralla, disa burra me numër normal të spermatozoideve në Analizën e Spermës mund të kenë spermatozoide që nuk mund të ngjiten për vezën. Fatkeqësisht, kjo zbulohet zakonisht gjatë IVF-së.

Integriteti i ADN-së së Spermatozoidit. Kohëve të fundit, në vlerësimin e pacientëve me infertilitet të pashpjegueshëm, dështime të përsëritura të riprodhimit dhe aborteve të përsëritura, bëhet vlerësimi i spermës për fragmentim të ADN-së. Këto teste nuk janë 100% prediktive, por në këto raste të rralla, mund të tregojnë nëse spermatozoidet (jo vezët) janë ato që çojnë drejt problemit të fertilitetit.

Mosha. Disa studime kanë sugjeruar që mosha e shtyrë mashkullore (zakonisht mbi moshën 50-vjeçe) mund të çojë në shtimin e infertilitetit dhe përqindjen më të lartë të aborteve. Të dhënat e literaturës për këtë çështje janë të përziera: disa studime pohojnë që mosha e babait luan rol, mirëpo disa të tjera nuk e konsiderojnë moshën të rëndësishme. Nëse mosha e babait ka ndikim, ai duhet të jetë shumë i ulët.

Gjenetika. Burrat me sindromë të Klinefelterit (modeli kromozomal 47 XXY në vend të atij normal 46 XY), ata me delecione të pjesëve të caktuara të kromozomit Y, ata me translokacione të balancuara dhe disa jonormalitete të tjera të rralla gjenetike shkaktojnë infertilitet mashkullor.

Diagnostikimi dhe Testimi i Fertilitetit Mashkullor dhe Femëror

Disfunksioni seksual. Edhe pse kjo gjendje në radhë të parë ka të bëjë me njërin apo tjetrin partner në çift (p.sh. disfunksioni erektil te meshkujt, vagjinizmi te gratë), disfunksioni seksual shpeshherë është problem i çiftit dhe duhet të adresohet duke e bërë vlerësimin e të dy partnerëve.

Infertiliteti i Pashpjegueshëm. Kjo është diagnoza e cila përcaktohet pasi që të gjitha testet të rezultojnë normale. Shumë çifte që nuk arrijnë shtatzëninë pas 1-2 vitesh të provës dhe me të gjitha testet që dalin të jenë normale, mund të kenë subfertilitet të lidhur me moshën apo endometriozë. Nga ana tjetër, mund të ekzistojnë diagnoza apo probleme të tjera mjekësore të cilat nuk i kemi kuptuar ende. Diagnoza më e vonshme e “Rezervës së Ulur të Vezoreve” ka filluar të përdoret para rreth 20 vitesh.

Testet Bazike për Gra:

· Niveli i FSH dhe i Estradiolit në Ditën 2-3 të Ciklit

· Hormoni Anti-Mullerian

· Prolaktina

· TSH

· Ultratingulli në Mes të Ciklit

· Histerosalpingogrami (HSG)

Testet e Specializuara për Gra:

· Sonohisterogrami apo histeroskopia

· Kirurgjia laparoskopike (intrapelvike)

· X Fragjil

· Kariotipi (Testi për kromozome i bërë me mostrën e gjakut)

· Testosteroni, 17-Hidroksi-Progesteroni, Sheqeri në gjak esëll dhe Insulina (Për pacientët me Sindromë Policistike të Vezoreve)

Testet Bazike për meshkuj:

· Analiza e Spermës

Testet e Specializuara për Meshkuj:

· Kariotipi (Testi për kromozome i bërë me mostrën e gjakut)

· Analiza e mikro-delecionit të ADN-së në kromozomin Y (test gjaku)

· Analiza e Veçimit të Kromatinës së Spermës (SCSA) për fragmentimin e ADN-së (test i spermës)

· Testet Hormonale: FSH, LH, Testosteroni, Prolaktina, Estradioli (teste të gjakut që bëhen kur ekziston ndonjë faktor i rëndë mashkullor)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *